Ilirjan Telo dhe Albana Pashako janë vënë në pranga nga policia kufitare në pikën e Qafë Botës.

Atyre u janë gjetur disa pako me lëndë narkotike, e cila dyshohet e llojit kanabis. Pas peshimit ka rezultuar se droga është 6.15 kilogramë.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare e Qafë Botës evidenton dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. 

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 6.15 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Vihen në pranga drejtuesi dhe pasagjerja e mjetit ku u gjet lënda narkotike

Shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Botë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Daimler Chrysler”, me drejtues shtetasin I. T., 51 vjeç, banues në lagjen nr. 1 Sarandë.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 6.15 kg.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim, të shtetasve:

I. T., 51 vjeç dhe A. P., 36 vjeçe, banues në lagjen nr.1, Sarandë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.