Pavarësisht dëshirës sonë të madhe për t’i parë bashkë, duket se ka një ngërç që nuk po shkrihet mes Dua Lipës dhe Rita Orës.

Dy yjet shqiptare me fame botërore kanë marrë pjesë në ‘Met Gala’, por nuk janë shfaqur në asnjë moment krah njëra-tjetrës. Duket se ato janë shmangur edhe këtë here duke treguar se gjërat janë njësoj. Ose ndoshta nuk kanë pasur realisht mundësi të takohen, një skenar më pak i besueshëm ky.

Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që ato mund të jenë përshëndetur, por deri tani, nuk ka asnjë foto a moment të tyre bashkë.

Dua u shfaq me një fustan vintage të vitit 1992 ‘Chanel’, i veshur fillimisht nga supermodelja ikonike e viteve ’90, Claudia Schiffer. Fustani në formë tweed, përfshinte një mes të strukturuar me korse me tuba me vija bardh e zi, një fund të fryrë dhe me thekë. Këngëtarja e kombinoi look-un e saj me një varse diamanti 200+ karatësh Tiffany, unaza dhe taka me majë metalike.

Kurse Rita nga ana tjetër, kishte veshur një fustan të zi Prabal Gurung me detaje të tejdukshme përgjatë bustit të saj, detaje lulesh 3D si tyl dhe një bisht të gjatë anësor. Vëmendje morën sidomos thonjtë e saj, të cilët kishin zinxhirë argjendi shumë të gjatë. Ajo kishte vendosur bizhuteri Buccellati dhe taka Jimmy Choo Liberty.

Para disa javësh motra e Ritës, njëkohësisht edhe menaxherja e saj, Elena, ka publikuar në Instagram një foto me Duan për të cilën shkruante fjalët më të mira.

“Mbretëresha ime e bukur shqiptare, kaq krenare me ne, ne drejtojmë botën”, shkruante Elena, duke shprehur përkrahjen dhe dashurinë ndaj Duas.

Çfarë ka ndodhur mes Rita Orës dhe Dua Lipës?

Sipas asaj që raportohet, shkak i një hatërmbetjeje mes artisteve është bërë mungesa e mbështetjes nga Rita për Duan kur kjo e fundit ishte në fillim të karrierës dhe tashmë që ka kapur majat autorja e hitit “New Rules” nuk ia fal këtë gjë.

Bebe Rexha kohë më parë tregoi se ka dëshiruar prej kohësh që të realizohet një bashkëpunim mes saj, Ritës, Duas dhe Ava Max, por planet janë shkatërruar për shkak të dy artisteve.

“Kam tentuar vërtetë. Nuk e di realisht se çfarë po ndodh mes tyre apo çfarë historie ka. Gjithmonë kam tentuar të ruajë paqen dhe t’i bashkoj vajzat. Për mua, do të doja shumë që të bënim diçka bashkë, por nuk jam e sigurt se do të ndodhë ndonjëherë. Dhe nuk do të them më gjë për këtë. Është e çuditshme, sepse unë e di se çdo të thotë të jesh vajzë dhe ndonjëherë ne mund të bëhemi shumë konkurruese. Nuk po flas vetëm për veten, Duan, Ritën apo Avan, por flas për gjithë femrat në përgjithësi. Nuk ka shumë vajza në industri. Është e trishtueshme që ka një konkurrencë të pashprehur. Do të doja shumë që të ndodhte, sepse unë i njoh të gjitha këto vajza personalisht dhe janë të gjitha të mrekullueshme”, është shprehur Bebe për “The Sun”.