Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani është takuar të premten me prokurorin e Përgjithshëm të Malit të Zi, Milorad Markovic, dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Vladimir Novović. I pranishëm në këtë takim që u mbajt në Podgoricë ishte edhe drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar, Arben Kraja.

Në takim, ata diskutuan për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve, propozimin për krijimin e Skuadrave të Përbashkëta Hetimore për një qasje më të koordinuar dhe të suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dumani bëri edhe një prezantim të SPAK dhe treguesve të institucionit ndaj hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsonit. Gjithashtu Dumani trajtoi praktikën e ndjekur nga ky institucion, në lidhje me fillimin paralel të hetimit pasuror dhe financiar, për çdo hetim që lidhet me krimin e organizuar dhe korrupsionin./abcnews.al