Policia ka arrestuar një 29-vjeçar dhe vëllain e tij e ka shpallur në kërkim pasi akuzohen për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Uniformat blu kanë prangosur shtetasin me iniciale B.H dhe kanë shpallur në këtërkim vëllain e tij 26-vjeçarin Xh.H të dy banues në Buçimas, Pogradec.

Policia bën me dije se dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë goditur me thikë bashkëfshatarin e tyre me iniciale A.A i cili po merr mjekim në spital.

Njoftimi i plotë DVP Korçë:
Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, të shtetasit B. H., 29 vjeç dhe shpallën në kërkim vëllain e tij shtetasin Xh. H., 26 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec.
Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim midis tyre, mbrëmjen e djeshme në rrugën e fshatit Buçimas, për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës (thikë) në shpinë, shtetasin A. A., 38 vjeç, banues në Buçimas, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Korçë.
———
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, të shtetasit A. K., 41 vjeç, banues në Fier (i dënuar më parë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”).
Ky shtetas në lagjen nr. 16, pranë unazës së qytetit të Korçës, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe pas kapjes së tij, ka kundërshtuar efektivët për të kryer alkooltestin, ku ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
———-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, të shtetasit D. M., 30 vjeç, banues në fshatin Braçanj, Devoll, pasi ky shtetas u kap nga shërbimet e policisë, në një lokal në fshatin Braçanj, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për këtë shtetas nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.