Policia austriake sot ka kryer bastisje në selinë e partisë së kancelarit austriak Sebastian Kurz, i cili aktualisht është jashtë vendit.

Siç raportojnë mediat austriake, bastisjet janë kryer edhe në adresa private të personave të caktuar si dhe në ministrinë e Financave.

Anëtarë të caktuar të partisë së Kurz kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një “presion politik”, në veçanti në momentin kur kancelari Kurz gjendet në Slloveni ku po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Janë kontrolluar vendet e punës dhe shtëpitë e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Kurz.

Siç raporton “Standard” janë sekuestruar telefona mobil, e bastisjet besohet se kanë lidhje me aferën “Ibiza” dhe hetimet lidhur me “Casino Austria”.