Ky është Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, 43 vjeçari që mbeti i plagosur në atentatin me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër, i cili dyshohet se ishte edhe shënjestra. 43-vjeçari është anëtar i grupit të Bajrave dhe vëllai i Denis Bajrit, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër.
Dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur, nga një atentat i ndodhur mëngjesin e të hënës në qendër të Shkodrës.
Viktima janë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa i plagosur ka mbetur Erogen Vaso, si dhe një kameriere që punonte në lokalin ku ishin ulur tre personat e mësipërm, 25-vjeçarja Meri Kaceri.
Autori i dyshuar i atentatit, Ragip Gila, është arrestuar nga efektivët teksa po përpiqej të largohej nga qyteti. Ai ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes me motor, të cilin e kishte braktisur e më pas ishte larguar me automjet, por pasi ka përplasur makinën, ka vijuar në këmbë, por është kapur nga policia në një zonë periferike.