Detaje te reja zbardhen nga ngjarja e rëndë që u shënua mbrëmjen e djeshme në Komisariatin nr.3, ku 25-vjeçari Ludian Zaimi vrau kolegun e tij Çaush Saliasi.

Bëhet me dije se pas ngjarjes së rëndë policia ka ushtruar kontroll në banesën e autorit, ku edhe ka gjetur ilaçe depresioni. Dyshohet se Zaimi mund të ketë pasur çrregullime të shëndetit mendor. Sipas ligjit një efektiv që vuan nga depresioni nuk mund të ushtrojë detyrën.

Vetë 25-vjeçari ka thënë për ngjarjen se Saliasi e ka ofenduar dhe sharë vazhdimisht, teksa ka thënë “më shante nga nëna dhe më quante qorr”.

“Para se të merrnin shërbimin, ndodheshim në zyrën e ndarjes së turneve. Kam qenë tejet i mbyllur, më ka ngacmuar me fjalë dhe disa herë ofenduese. I kisha akumuluar të gjitha këto deri në mbrëmjen e sotme”, iu tha ai kolegëve dhe më pas ekspertëve të hetimit dhe atyre të Drejtorisë së Policisë që mbërritën në komisariat.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti banal gjatë mbledhjes së ndërrimit të turneve, ku Zaimi ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar të paktën 5 herë kolegun e tij.

Burime për media bëjnë me dije se para se 25-vjeçari të kryente aktin e rëndë u ka kërkuar kolegëve që të ulin kokën, dhe më pas ka zbrazur karikatorin mbi viktimën.

Viktima, Çaush Saliasi kishte mbi 20 vite që punonte si efektiv në Polici, ndërsa Zaimi i ishte bashkuar uniformave blu rreth 1 vit e gjysmë më parë.