Këngëtarja e njohur për publikun shqiptar, Mariza Ikonomi ka konfirmuar se është në një lidhje dashurie. Artistja ka qenë së fundmi e ftuar në programin “Dola te Ola” në News 24, ku ka rrëfyer dhe zbuluar detaje për jetën e saj familjare dhe profesionale.

Mariza po përjeton një histori të bukur dashurie dhe gjatë intervistës rrëfeu se lidhja e tyre po shkon shumë mirë, por preferoi të mos zbulojë më tepër.

Teksa u pyet nëse personi që i ka rrëmbyer zemrën është artist, ajo u përgjigj me humor, “Është dashurist”.

Kujtojmë se Mariza Ikonomi ka pasur një lidhje shumë të veçantë me të ndjerin Françesk Radi, me të cilin ka bashkëpunuar për një këngë shumë vite më parë. “Telefonatë zemrash” quhet kënga që ata të dy i bëri bashkë dhe që e njeh i madh e i vogël. Ndarja nga jeta e Radit ishte shumë e dhimbshme për Marizën dhe sot ajo është përlotur teksa ka kujtuar kolegun e mikun e ndjerë.

Pak kohë më parë, ajo ishte e ftuar në emisionin “Historia Ime” dhe ajo nuk mundi t’i mbante lotët teksa në ekran u shfaq kënga “Telefonatë zemrash”. Mariza tha se e ka shumë të vështirë ta dëgjojë sot këtë këngë dhe se ende nuk i besohet që Françesk Radi nuk jeton më.

“E kam shumë të vështirë të dëgjoj këtë këngë. Edhe pse më fal emocione, nuk mundem të mos prekem. Edhe nga profesori… unë vazhdoj të mendoj që ai është akoma, edhe pse ka ndërruar jetë. Është e pabesueshme ende për mua, që ai tashmë është në një jetë tjetër. Ka qenë shumë afër meje në karrierën time si artiste. Më ka ndihmuar, më ka mbështetur”, rrëfeu Mariza, duke treguar më pas:

“Gjithmonë takoheshim dhe flisnim për problemet e muzikës. Çdo gjë të re që unë bëja ia tregoja. I pari që ia tregoja ishte profesori dhe gjithmonë e dija që nuk do merrja atë rezultat që prisja, sepse dihet që familja, mami, më thoshin ti je më e mira. Profesori t’i thoshte gjërat ashtu siç ishin dhe ndonjëherë ishte dhe i sertë dhe shumë kërkues dhe unë i vlerësoja kritikat e tij. Sot dhe kësaj dite më mungojnë kritikat e tij, sepse mungojnë artistë që të thonë mendimet e sinqerta. Ishte krijuar një raport i bukur, profesional-miqësor saqë vështirë ta thyesh.”