“Nuk është momenti për të folur për të ardhmen.
Unë jam i fokusuar për të fituar trofe me Realin, nuk e mbaj aspak mendjen tek e ardhmja”, deklaroi Toni Kroos pas barazimit 2-2 në Mynih kundër Bayernit.
“Los Blancos” siguruan një rezultat pozitiv në Gjermani.
Dhe javën e ardhshme do të tentojnë fitoren në shtëpi për të siguruar një biletë në finalen e Champions League.
Në Spanjë bëjnë të ditur se mesfushori, i cili vazhdon të shkëlqejë pavarësisht se vitet kalojnë, do të jetë pjesë e Realit edhe sezonin e ardhshëm.
Marrëveshja me presidentin Florentino Perez është arritur.
Zyrtarizimi, sipas raportimeve që vijnë nga Spanja, do të ndodhë pas përfundimit të duelit të dytë kundër Bayernit.
34-vjeçari e ka shprehur në disa raste dëshirën për t’u tërhequr.
Por gjendja e tij fizike është shumë e mirë, skuadra gjithashtu vijon të fitojë dhe të jetë ndër më të fortat në planet.
Dashuria dhe respekti në Madrid nuk i kanë munguar kurrë.
Dhe Kroos do të firmosë javën e ardhshme rinovimin aq shumë të mirëpritur nga tifozët “Los Blancos” dhe tekniku Carlo Ancelotti.