Janë zbardhur dëshmitë e dy autorëve të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit të Shkodrës, Pashko Ujka. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit në kryeqendrën e veriut. Ish-kryetari i Komunës së Velipojës dhe deputet për një mandat në Kuvendin e Shqipërisë, Ujka u qëllua me një plumb në shpinë nga një armë zjarri silenciator.

Ai ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës për shkak të plagës së rëndë, pasi plumbi i kishte prekur organet jetësore. Autorë të dyshuar të ngjarjes u arrestuan Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola, të cilët u akuzuan nga familjarë e viktimës.

Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola janë shprehur për policinë se mbrëmjen e ngjarjes kanë qenë në Kosovë. Kelmendi shprehet se Kola e ka ftuar që të shkojnë në Kosovë për të blerë veshje. Kelmendi tregon se në Kosovë ka qenë dhe babai i tij, e me këtë rast ka shkuar dhe e ka takuar. Të dy të arrestuarit tregojnë se janë ndaluar nga policia në momentin që kanë qenë duke u kthyer në Shqipëri.

Kristjan Kelmendi tregon gjithashtu se me djalin e Pashko Ujkës ka pasur miqësi. Më tej ai shton se ish-deputeti i ka kërkuar babait të Kelmendit 20 mijë eurot për shtëpinë që ia kishte shitur 11 vite më parë, por ajo bisedë ishte mbyllur.

Kristjan Kelmendi: Babai im ka patur një bisedë me Pashkon sepse janë shokë me të. Edhe unë djalin e Pashkos e kam shok sepse kemi qenë në shkollë bashkë. Po ashtu babai im dhe Pashko kanë qenë shokë. Pashko i ka thënë babait që t’i japë paratë e shtëpisë që na e kanë shitur 11 vite më parë. Bëhej fjalë për një shumë prej 20 mijë euro që në atë kohë Pashko ka thënë që nuk i dua. Babai i ka thënë se është bisedë e mbyllur ajo dhe unë di që nuk kemi patur ndonjë problem për atë bisedë dhe familja ime ka vijuar që të qëndrojë në atë shtëpi.

Unë para pak kohësh desha të iki nga Italia në Angli për një jetë më të mirë por më kapën dhe më kthyen në Shqipëri në tentativë për të ikur drejt Anglisë. Kur erdha u takova rastësisht me Marjanin i cili më tha se do shkonte në Kosovë për të blerë rroba.

Unë i thash po vij me të sepse kisha babain në Kosovë dhe doja ta takoja. Kemi ikur më 28 nëntor në Kosovë dhe më 29 nëntor po ashtu kemi qenë atje. Pra natën kur është bërë vrasje më 29 nentor unë dhe Marjani kemi qenë në Kosovë. Në atë orar kemi qenë në market duke blerë rroba dhe me pas jemi futur në një poligon qitjeje atje për qejf. Duke u kthyer drejt Shqipërisë na kanë arrestuar.

Marjan Kola: Nuk kam asnje lidhje me vrasjen. Babain e Kristjanit e kam shok. U takuam rastesisht dhe ikem bashke drejt Kosoves meqe une doja te blija rroba dhe Kristjani donte te takonte babain. Naten e 29 nentorit kur eshte bere vrasja une kam qene ne Kosove bashke me Kristjanin dhe nuk kam patur asnje dijeni as per vrasjen as per asgje tjeter. Me 30 kemi nentor qene duke u kthyer drejt Shqiperise dhe vetem kur na arrestuan.

Familjarët e Pashko Ujkës kanë treguar në polici se dyshojnë tek Kristjan Kelmendi si autori kryesor i kësaj vrasje. Mësohet se arrestimi i Kristjan Kelmendit dhe Marjan Kolës është bërë kur kanë qenë duke u kthyer nga Kosova në Shqipëri dhe jo duke ikur në drejtim të Kosovës siç ka pretenduar policia. Më 28 dhe 29 nëntor kalimi drejt Kosovës ka qenë i lirë por edhe nga Kosova drejt Shqipërisë pa regjistrime për shkak të festave të Pavarësisë dhe Çlirimit.

Avokatet mbrojtës Agim Martini dhe Ardjan Brunga kanë kërkuar që të merren kamerat e sigurisë të doganës në Morinë, kamerat e sigurisë tek poligoni i qitjes sepse pretendohet se përkon me orarin kur është bërë vrasja si dhe kanë kërkuar që makina me të cilën kanë qenë duke u kthyer nga Kosova në Shqipëri të hapet sepse pala mbrojtëse pretendon se brenda janë rrobat që kanë blerë në Kosovë bashkë me faturat përkatëse.