Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Gjykata Kushtetuese, është investuar nga Kuvendi i Shqipërisë përmes Vendimit nr. 55/2021, datë 9.6.2021, të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës”’. Ky vendim i Kuvendit, që sipas procedurës konsiderohet dhe kërkesa e këtij organi për shkarkimin e Presidentit të Republikës, është administruar pranë Gjykatës Kushtetuese në datë 14.6.2021.
Çështja që është paraqitur prej kohësh (datë 14.6.2021) para jush, por që po merret në shqyrtim vetëm tani në muajin 1 shkurt 2022, është një çështje që jo vetëm shtrohet para Gjykatës Kushtetuese të vendit, për herë të parë, por që lidhet drejtpërdrejtë me vetë funksionimin e shtetit të së drejtës, respektimit të sistemit demokratik, ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe kryesyerja unitetit të popullit, parime themelore këto të cilat nuk janë respektuar apo janë dëmtuar rëndë për shkak të atyre ngjarjeve, zhvillimeve dhe rrethanave absurde që kanë ndodhur në vend, dhe që shkaktuar një krizë të paprecedentë kushtetuese, politike, përfaqësimi dhe institucionale në Republikën e Shqipërisë në këto tre vitet e fundit, dhe që krejtësisht në mënyrë të panevojshme dhe të pajustifikuar, kanë sjellë si pasojë fundore edhe investimin e panevojshëm të gjykatës kushtetuese me një çështje, që as duhet të ekzistonte.
Megjithatë, pa filluar shqyrtimi i kësaj çështje, për shkaqe që do t`i parashtrojmë në vijim, paraqesim këtë kërkesë paraprake lidhur me anëtarët e trupës gjyqësore, pikërisht për shkak të ekzistencës së disa shkaqeve që krijojnë bindjen se, vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese në këtë gjykim me objekt, shqyrtimin e vendimit nr. 55/2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës”’.
Ligji nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenet 34 dhe 36 të tij, përcakton se:
“Neni 34
Të drejtat e gjyqtarit në gjykimin kushtetues
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë:
a) të marrë pjesë në shqyrtimin e çdo çështjeje, me përjashtim të rasteve kur ndalohet nga ligji;
b) të njihet me përmbajtjen dhe gjithë materialet e çështjes në shqyrtim;
c) gjatë shqyrtimit, t’u drejtojë pyetje e të kërkojë shpjegime nga pjesëmarrësit në gjykim, si dhe nga personat e thirrur si dëshmitarë ose ekspert;
ç) të marrë pjesë në bisedimet përfundimtare dhe të shfaqë lirisht mendimin e tij për mënyrën e përfundimit të çështjes që shqyrtohet.”
“Neni 36
Heqja dorë nga shqyrtimi i çështjes
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese kërkon heqjen dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete kur:
a) ka marrë pjesë në hartimin e aktit objekt shqyrtimi;
b) ka deklaruar publikisht qëndrimin e tij ndaj çështjes;
c) për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim paanshmëria e tij;
ç) paanshmëria e tij vihet në dyshim për shkaqe të tjera.
Kur objekt shqyrtimi është një ligj ose akt normativ, i cili mund të ketë efekte edhe për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, heqja dorë e tij ose kërkesa për përjashtim për këtë shkak nuk pranohet.
Në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, gjyqtari, brenda një afati të arsyeshëm, i paraqet me shkrim kërkesën për heqjen dorë nga çështja Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa për heqje dorë ose për përjashtimin nga gjykimi shqyrtohet menjëherë nga Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila vendos për pranimin ose jo të saj.”
Referuar këtyre dy dispozitave, kërkojmë që,
secili prej gjyqtarëve të kësaj Gjykate, të vlerësojë me shumë kujdes të gjitha shkaqet dhe rrethanat, lidhur me çështjen dhe palët në këtë gjykim sipas objektit, fillimisht për të kërkuar e më pas, për të vlerësuar dhe për t`u shprehur me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve, nëse secili prej tyre është para rasteve kur duhet të heqë dorë nga shqyrtimi i çështjes.
Në vlerësimin tonë, ekzistojnë disa shkaqe që vendosin në dyshim paanshmërinë e të gjithë kësaj trupe gjyqësore në këtë çështje dhe që ka të përfshira si palë Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.
Në trupën gjyqësore aktuale të Gjykatës Kushtetuese, ka gjyqtarë për të cilët ekzistojnë disa shkaqe që vënë në dyshim paanshmërinë e tyre, ashtu sikundër për disa gjyqtarë të tjerë, shkakun e kemi zbuluar vetëm ditën e djeshme, pasi siguruam disa nga provat e dosjes gjyqësore që kanë të bëjmë me veprimtarinë e kësaj gjykate në trajtimin pikërisht të çështjes për të cilën është investuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Këto shkaqe, në vlerësimin tonë, janë:
Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetues dhe zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese. Kjo trupë gjyqësore është shumë mirë në dijeni të sulmeve të Kryeministrit, dhe mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë ndaj Presidentit të Republikës që prej vitit 2018 e në vijim, disa prej të cilave janë bërë pjesë edhe e debatit dhe shqyrtimit gjyqësor kushtetues, (mjafton të përmendim çështjen e Teatrit Kombëtar, konfliktit për emërimin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo dhe çështjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, apo dhe të vet emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019).
Për dy nga këto çështje Presidenti i Republikës është “hetuar” nga Kuvendi i Shqipërisë në legjislaturën e IX-të, procese hetimore këto që përpara se të mbylleshin pa ndonjë rezultat, kanë iniciuar dhe Komisionin e Venecias, për marrjen e një Opinioni dhe duke ulur ndjeshëm reputacionin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë që për të tjera, mosmarrëveshja kushtetuese është bërë pjesë e shqyrtimit gjyqësor përpara jush, dhe ju jeni njohur rast pas rasti me shkakun, tipologjinë dhe mënyrën se si ka lindur, është zhvilluar konflikti/mosmarrëveshja e çështjes në fjalë dhe që është bashkëshoqëruar dhe me zhvillime politiko-shoqërore dhe sociale në vend, përgjatë këtyre viteve 2018-2022.
Gjykata Kushtetuese, përbëhet sot nga 7 anëtarë – 6 prej të cilëve janë emërtesë/zgjedhur pikërisht nga institucionet në këtë konflikt gjyqësor (Kuvend-President), ndërsa anëtari i shtatë – Kryetari, është i zgjedhur nga të dy organet President-Kuvend, që prej vitit 2008, dhe që sot është në vitin e 5-të, të ushtrimit të detyrës, përtej mandatit 9-vjeçar kushtetues, dhe në pritje të gjyqtarit zëvendësues.
Ndërkohë që 2 (dy) prej gjyqtarëve, zotit Altin Binaj dhe zotit Përparim Kalo, me vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 41 dhe nr.42, datë 22.12.2021, u është deklaruar përfundimi i mandatit që ata ushtrojnë dhe që u përfundon respektivisht në datat 02.05.2022 dhe 08.04.2022, ndërkohë që nga të dy organet e emërtesës (President – Kuvend), për emërimin e gjyqtarit të ri, me mandat të plotë, që do plotësojë këto vakanca që shfaqen, janë hapur thirrjet për aplikime.
Kjo Gjykatë, u bë funksionale me 7-anëtarë vetëm në fund të muajit dhjetor 2020, kur dy organet e emërtesës emëruan dhe 3 anëtarë të tjerë të kësaj trupe (dy gjyqtarë të zgjedhur nga Presidenti dhe një nga Kuvendi), edhe pse këto emërime u shoqëruan nga fenomeni i mungesës së kandidatëve, dhe kur të dy organeve të emërtesës iu është dashur të heqin dorë nga përplotësia e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur ndërmjet tre kandidatëve, ashtu siç dikton Kushtetuta.
Nuk mund të mos përmendim faktin se Gjykata Kushtetuese sot është funksionale dhe me 6 gjyqtarë të rinj të emëruar falë angazhimit dhe vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës. Falë angazhimit direkt të Presidentit, kjo Gjykatë sot është funksionale dhe të paktën ka arritur të mblidhet, e të funksionojë edhe pse jo me numrin e plotë të anëtarëve që ajo duhet të ketë.
Megjithatë, përpos sa më sipër, për shkak të mënyrës se si kjo gjykatë ka funksionuar, të lidhura, por jo vetëm me çështjen objekt gjykimi, për secilin anëtar të kësaj Gjykate evidentohen problematika dhe shkaqe, të cilat jemi të detyruar t`ia risjellim në vëmendje kësaj gjykate, dhe që kërkojnë domosdoshmërish vlerësimin me seriozitet prej saj.
Kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është duke ushtruar detyrën e gjyqtarit kushtetues, në vitin e 5-të përtej mandatit kushtetues.
Të gjithë i dimë arsyet dhe rrethanat, ashtu si dhe zvarritjet që kanë ndodhur në procesin e emërimit të gjyqtarit që do të mund ta zëvendësonte e që do të duhej të ishte emëruar nga Gjykata e Lartë, pas verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturave nga ana e KED-së (2021).
Të gjithë i dimë arsyet pse ende dhe sot Gjykata e Lartë ende nuk ka kuorumin e nevojshëm për t`u mbledhur e për të vendosur për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Për këto çështje, vet anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë shumë mirë në dijeni, qoftë për shkak të procesit të përzgjedhjes së tyre në detyrën që ata ushtrojnë; të qënurit si anëtarë të KED-së apo ndjekjes së debateve publike.
Presidenti i Republikës, ka folur qartë, publikisht dhe përmes akteve të tij, dhe ka vite që denoncon gjithë veprimtarinë antiligjore të aktorëve apo zyrtarëve të caktuar, që duhet thënë, ia kanë dalë të dëmtojnë apo të paralizojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë, përfshi këtu dhe vet Gjykatën Kushtetuese.
Por ndërkohë që kjo betejë e Presidentit të Republikës, për funksionimin siç duhet të mekanizmave kushtetues nuk ka përfunduar, por vazhdon, nga ana tjetër dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor, pra në këtë proces gjyqësor, përfshin të drejtën për t’u gjykuar nga një gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e caktuar me ligj, e parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky parim është elaboruar qartë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në jurisprudencën e saj[1].
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se standardi i gjykatës së “caktuar me ligj” nënkupton që jo vetëm gjykata duhet të jetë krijuar me ligj, por edhe anëtarët e saj duhet të jenë zgjedhur dhe qëndrojnë në detyrë sipas ligjit[2].
Rregulli mbi qëndrimin në detyrë të gjyqtarit kushtetues, deri në emërimin e pasardhësit, është parashikuar në një dispozitë kushtetuese (neni 125, pika 7), e cila është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për të garantuar funksionalitetin e vet gjykatës, në mënyrë që procedurat e emërimit të pasardhësit, dhe pse mund të zgjasin paksa dhe përtej mandatit 9-vjeçar të gjyqtarit, këto procese emërimi të mos bllokojnë funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të përfundimit menjëherë të mandatit të ndonjë gjyqtari.
Nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë që vet ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, parashikon se procedurat për emërimin e gjyqtarit pasardhës fillojnë 3-muaj përpara përfundimit të mandatit të gjyqtarit që i përfundon mandati, që në rastin konkret ka qenë data 10 mars 2017, dhe sipas ligjit duhet të përfundojnë po përpara këtij afati. Por fakti është se jemi në muajin shkurt 2022, dhe emërimi i gjyqtarit zëvendësues nuk ka ndodhur ende, ndërsa qëndrimi i gjyqtarit ekzistues në detyrë, ka konsumuar më shumë se gjysmën e mandatit të gjyqtarit të ri që pritet prej 5 vitesh të emërohet.
Kurrsesi nuk është menduar ndonjëherë që neni 125, pika 7, e Kushtetutës, të përdorej apo të legjitimojë faktin që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, të qëndrojë në detyrë plot 5-vite përtej mandatit 9-vjeçar kushtetues. Në rastin konkret, situata faktike është edhe më absurde, sepse është po kushtetuta që në nenin 179, pika 3, parashikon se:
“3. Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017 (pra zonjën Tusha), do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 […]”.
Pra referuar këtyre dispozitave, ai gjyqtar që do të zëvendësojë zonjën Tusha, do të konsumojë një mandat më të shkurtër se 3-vjet, kjo edhe për faktin se, Gjykata e Lartë së fundmi ka rihapur sërish garën për aplikime, për shkak se në procedurën e këtij vendi vakant, nuk ka numrin e nevojshëm të kandidatëve.
Qëndrimi në detyrë përtej mandatit, dhe me kohëzgjatje kaq të madhe është bërë pjesë e debatit publik.
Në këtë mënyrë, gjithashtu nuk mund të mos përmenden faktet se ka qenë kjo mazhorancë që ka bllokuar veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite radhazi 2017-2018, e cila solli si pasojë nga njëra anë boshatisjen e kësaj gjykate përmes bllokimit të veprimtarisë së organit që do të duhet të plotësonte vakancat (KED), dhe nga ana tjetër edhe zgjatjen e mandatit të gjyqtarit të mbetur në detyrë përtej mandatit kushtetues.
Pra qëndrimi në detyrë, deri në emërimin e pasardhësit është hapësirë e cila nuk mund të shfrytëzohet pa kufi, pasi siç po rezulton, gjyqtari kushtetues, për shkak apo me justifikimin e kësaj dispozite po ushtron në realitet, më shumë se gjysmën e mandatit të gjyqtarit që do të duhej ta zëvendësonte, duke krijuar kështu në dukje një situatë të qëndrimit në detyrë, të palogjikshme, dhe aspak në përputhje me qëllimin e normës kushtetuese, që cenon parimin e paanshmërisë së gjykatës, në favor të palës që e mundëson atë, pra të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, që është dhe organi i cili jo vetëm që ka miratuar normën, por që përmes mosangazhimit të tij për të mbikëqyrur implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka lejuar që situata të tilla paradoksale të ekzistojnë në Gjykatën Kushtetuese, prej shumë vitesh.
Nën dritën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së, të sipërcituara, porse dhe nën dritën e këtyre fakteve dhe shkaqeve, është e qartë që qëndrimi në detyrë përtej mandatit kushtetues, me një kohëzgjatje 5-vjeçare që është përtej çdo arsyetimi të qenësishëm dhe logjik, e që në rastin konkret kapërcen gjysmën e mandatit që do të duhej të ushtrohej nga gjyqtari zëvendësues, krijohet një situatë që dukshëm vendos në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarit kushtetues.
Ndërkohë një shkak tjetër, që madje është anatemuar shumë publikisht, por që duhet ta evidentojmë përpara kësaj gjykate, është fakti se, Presidenti Meta, pasi zonja Tusha ka shprehur interesin, e ka vlerësuar shumë pozitivisht shprehjen e aplikimit të zonjës Vitore Tusha dhe në 5 nëntor 2018[3] e ka propozuar atë si kandidate për t`u emëruar si Kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, nuk e ka pranuar këtë propozim dhe e ka refuzuar këtë kandidaturë, duke bërë publik dhe duke anatemuar edhe Presidentin e Republikës, se po të pranohej ky emërim, do të bllokohej veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese, kur ishte po ky organ dhe kjo mazhorancë që përmes deklaratave publike të Kryeministrit dhe deputetit të Komisionit të Ligjeve, bllokuan funksionimin e KED-së për dy vite radhazi 2017-2018, duke pamundësuar kështu plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Këto fakte janë parashtruar dhe në qëndrimin e Presidentit të Republikës, të dorëzuar përpara Gjykatës Kushtetuese që prej datës 1 korrik 2021.
Të gjitha këto shkaqe, duhet të vlerësohen nga vet gjyqtari kushtetues, por dhe nga Mbledhja e Gjyqtarëve, përmes një vlerësimi shumë objektiv, të mirëmenduar, pasi në vlerësim tonë të gjitha këto, së bashku me faktet që do të citohen në vijim, paraqesin shkaqe që vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit dhe që detyrimisht sjellin pamundësinë e tij për të marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështje.
Tre anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese (zonja Xhaferllari, zonja Toska dhe zonja Papajorgji) janë zgjedhur përgjatë legjislaturës së IX-të të Kuvendit (nëntor 2019) kur midis dy organeve Kuvend-President, ka ekzistuar një marrëdhënie e tensionuar dhe konfliktuale, e shkaktuar nga mazhoranca, situatë kjo e cila ka arritur deri aty sa Kuvendi i Shqipërisë ka iniciuar dhe ka vijuar të mbajë të hapur një tjetër proces hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës përgjatë periudhës korrik 2019- korrik 2020, duke parashtruar dy objekte hetimi, për të cilat është kërkuar dy herë angazhimi i Komisionit të Venecias, lidhur me këto dy çështje, dhe konkretisht, për:
Kompetencat e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe që lidhet me çështjen e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore të 30 qershor 2019; dhe
Për procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në çështjen e parë, Komisioni Venecias me Opinionin nr. 959, datë 14 Tetor 2019, moment ky kur Gjykata Kushtetuese kishte vetëm zonjën Tusha në detyrë, Komisioni Venecias citon se:
“[…] Aktualisht, Gjykata ka vetëm një Gjykatës dhe duket se emërimi i katër gjyqtarëve po përgatitet.
[…] 80. Është për të ardhur keq që Gjykata Kushtetuese mund të themelohet me një çështje kaq të rëndësishme tashmë në pritje. Ndërsa përbërja e një gjykate kushtetuese është gjithnjë me interes të madh për aktorët politikë, dhe duke pasur parasysh një rast të tillë specifik, zgjedhja e gjyqtarëve nuk është sfond ideal për të siguruar pavarësinë e tyre[4]. Sidoqoftë, kjo nuk ndikon në legjitimitetin e Gjykatës.
Ndërsa në Opinion e tij nr. 978/2020, datë 19.6.2020, “Për procesin e emërimeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, Komisioni i Venecias, citon se:
“[…] 56. Më 14.11.2019, Znj Toska, Znj Xhaferllari dhe Znj Papajorgji u betuan para Presidentit.
57. Më 15.11.2019, Kuvendi miratoi një rezolutë të titulluar “Shmangia e krizës kushtetuese që synon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – një detyrë e domosdoshme për organet më të larta të Shtetit”, duke e konsideruar znj. Vorpsi gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese të emëruar automatikisht, duke i bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të zbatojë rendin kushtetues të përcaktuar me vendimin e KED për emërimin e zonjës Vorpsi dhe duke deklaruar se emërimi i zonjës Xhaferllari kishte qenë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Kushtetutën dhe ligjin.
[…]60. Më 22.11.2019, Kuvendi zgjati afatin kohor të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit[5] dhe përfshiu refuzimin e Presidentit për të pranuar betimin e Zn.j Vorpsi dhe emërimin e Znj. Xhaferllari si Anëtare e Gjykatës Kushtetuese si arsye shtesë për shkarkim.
[…]95. Komisioni i Venecias është thirrur tashmë të bëjë interpretimin e tij mbi këtë incident procedural, i cili rezultoi në emërimin e diskutueshëm të dy gjyqtarëve – një nga Presidenti, dhe tjetri automatikisht nga kuota e Presidentit – për të njëjtën vakancë.[…] “
98.[…]Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht.”
Pra siç rezulton, konflikti shkoi deri aty, sa Kuvendi dhe pikërisht Legjislatura e IX-të, hetoi Presidentin, se përse emëroi gjyqtarin kushtetues zonjën M.Xhaferllari dhe përse nuk pranoi betimin e një kandidati që Kuvendi mendonte se ishte zgjedhur.
Kuvendi, dhe pikërisht Legjislatura e IX-të, u detyrua që ta mbyllë këtë veprimtari hetimore pa asnjë produkt konkret në Korrik 2020, kjo edhe pasi Komisioni i Venecias në të dy opinionet e tij, i gjeti të gjitha veprimet e Presidentit legjitime, të mbështetura dhe që nuk justifikonin iniciativën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit.
Edhe këto shkaqe të tjera, të cilat