Tragjike në Gjermani. Dy vëllezër britanikë janë gjetur të mbytur në një liqen.

‘DailyMail’ raporton se dy vëllezërit e moshave nëntë dhe shtatë vjeç, u nxorën nga uji të pajetë pasi u raportuan fillimisht të zhdukur nga prindërit e tyre, rreth orës 18:00 të së enjtes.

Ambulancat nxituan në vendngjarje në liqenin Rursee në Gjermaninë perëndimore dhe shpëtuesit nxorën nga uji viktimat, të cilët u shpallën të vdekur në momentin që u dërguan në spital.

Liqeni ku u gjetën të vdekur fëmijët ndodhet në Simmerath, afër Aachen. Ai është një destinacion popullor për turistët, madje një ditë para se të zbuloheshin trupat, familja ishte duke shijuar pushimet.

Policia tha për Bild se fillimisht morën një telefonatë urgjence në orën 17:59 të së enjtes dhe dërgoi menjëherë disa automjete të reagimit në vendngjarje. Institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e vdekjes së dy fëmijëve.