Hakerat e “Homeland Justice”, kanë publikuar në Telegram një listë me emra të disa kompanive dhe qytetarëve dhe pretendojnë se kanë siguruar llogaritë e tyre bankare. Bëhet fjalë për një mijë llogari bankare.
Krahas emrave dhe numrave të identitetit, ka një rubrikë që tregon balancën e llogarisë.
Është e paqartë se cilës bankë u përkasin klientët e renditur në listë, por aty vihen re emrat e disa prej kompanive më të mëdha në vend, përfshirë edhe ndërmarrje publike si KESH apo OST.
“Sipas mendimit tuaj, në cilën bankë i kanë pastruar paratë e muxhahedinëve liderët e korruptuar të Shqipërisë? Specifikojeni ju bankën e rradhës“, shkruhet në postimin e hakerave në Telegram.
Nëse informacioni i publikuar do të rezultojë i vërtetë, bëhet fjalë për një skandal të përmasave të mëdha, ku janë ekspozuar paratë që zotërojnë shumë kompani dhe individë.
Hakerat deri tani kanë publikuar informacione mjaft sensitive, si të dhënat personale të qytetarëve, emrat e agjentëve të SHISH, emailet e zyrtarëve të lartë. Ndërkohë që publikimi i fundit i shumave që zotërojnë qytetarët në bankë, është një ngjarje e paprecedent dhe mjaft e rëndë.
Hakerat i lidhin publikimet e tyre, me faktin se Shqipëria strehon muxhahedinë në territorin e saj, konkretisht në Manzë dhe se ato kryejnë aktivitet për rrëzimin e regjimit në Iran.
Qeveria shqiptare ka mohuar që hakerat të kenë në zotërim informacione me rëndësi dhe kryeministri ka deklaruar se shumë prej informacioneve të nxjerra prej tyre janë shkresa pa rëndësi. Megjithatë, publikimet e vazhdueshme të hakerave të “Homeland Justice”, sugjerojnë se ata kanë informacione për gjithçka dhe kanë ekspozuar të dhëna mjaft të dëmshme për qytetarët, institucionet dhe shtetin shqiptar.