Deputeti i PD, Edmond Spaho është pjesë e foltores e thirrur ditën e sotme nga ish-kryeministri Sali Berisha me anëtarët demokratë në Pogradec.

Spaho tha se mbi 70% e anëtarëve kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit ku do të kërkohen ndryshimet statusore dhe më pas të hapet gara për kreun e ri të PD-së.

Edmond Spaho:
“Nuk është vetëm Pogradeci por në të gjithë Shqipërinë ka një pjesëmarrje masive dhe mbështetje më të gjerë të platformës që zoti Berisha po paraqet, më të hapur më të bashkuar, më të madhe, në mënyrë që të rrëzojmë narko-shtetin e Edi Ramës. Në këtë kuadër edhe Pogradeci siç e shikoni ka një mbështetje masive, entuziazëm dhe foltorja do të shkojë aq mirë sa në gjithë bashkitë e tjera të vendit.

Strukturat e PD janë në mbështetje të foltores, pjesëmarrja e tregon këtë gjë. Formularët thirrjen e Kuvendit të PD janë firmosur nga më shumë se 70% nga anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë. Edhe në qarkun e Korçës në tërësi ka një kuptim të mirë drejt foltores dhe një gatishmëri për të kontribuar në objektivat e saj, për të krijuar një PD të aftë për të rrëzuar Ramën nga pushteti.

Në Kuvend është përcaktuar që do të ketë ndryshime statusore dhe më pas do të hapet gara për kryetarin e ri të PD. Si gjithë të tjerët e ka mundësinë për të provuar veten tek anëtarësia e PD për të parë sa mbështetje ka. Kjo është mënyra më e mirë që Basha të provojë atë mbështetje që pretendon.

FRPD dhe LDG? Është një hakmarrje primitive ndaj atyre që i kanë dalë kundër që nuk e mbështesin. Nuk është PD që shpall garën për drejtuesit e këtyre dy organizatave por janë vetë ata që bazuar në statutin kryejnë veprimet e nevojshme”, tha Spaho.