Edward Snowden, ish konsulent i inteligjencës kompjuterike i cili bëri leak në 2013 dokumente të klasifikuara që tregonin shkallën e përgjimit të qytetarëve nga qeveria, u shpreh kundër planeve të reja të Apple mbi abuzimin e fëmijëve.

Ai tha se Apple “ka zgjedhur të ndjekë një rrugë të rrezikshme për të fituar akses në fotografitë e përdoruesve” dhe se qeveria do të gjejë një mënyrë për të manipuluar këtë rregull për t’i dhënë atyre një akses më të gjërë në të dhënat që ata kanë nevojë të aksesojnë, si përshembull prezenca e një përdoruesi në një protestë.

“Çfarë ndodh nëse një parti në Indi kërkon nisjen e skanimit për meme që lidhen me lëvizjen separatiste? Çfarë ndodh nëse Mbretëria e Bashkuar kërkon skanimin e fotografive të përdoruesve për imazhe terroriste? Edhe sa kohë kemi deri kur iPhone-i në xhepin tonë të fillojë të mbajë raportime kur gjen “material politik ekstremist” ose fotografi të prezencës tuaj në një protest civile?” u shpreh Snowden. “Sistemi i ri i Apple, dhe pse ju mund të gjeni mënyra të ndryshme për ta justifikuar atë, do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë konceptin e asaj që të përket ty dhe asaj që i përket Apple.”

Gjigandi i teknologjisë tha në lajmërimin para disa javësh se ata kanë gati një sistem që do të bëjë të mundur identifikimin e përmbajtjeve të abuzimit të fëmijëve përmes një kodi të caktuar, “pa i parë” fotografitë e përdoruesve.

Edward Snowden që nga koha e publikimit të dokumenteve të klasifikuara ka jetuar “i mbrojtur” në Rusi.