Furnizimet me ilaçe dhe pajisje shëndetësore në Afganistan janë duke u shpenzuar me shpejtësi, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Institucionet shëndetësore së shpejti mund të përballen edhe me mungesë të personelit mjekësor, tha OBSH.

“Na kanë mbetur vetëm pak ditë furnizime dhe po shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të sjellë më shumë ilaçe në vend”, tha Rick Brennan, drejtori i urgjencave të OBSH -së për rajonin e Mesdheut Lindor.

Dy sulme vetëvrasëse me bombë ndodhën më 26 gusht në afërsi të aeroportit të Kabulit duke lënë të vrarë shumë njerëz përfshirë 13 trupa amerikane dhe duke shtuar vështirësitë e transportit të pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve. Përgjegjësinë e sulmeve e mori grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).

Brennan tha se furnizimet përmes aeroportit të Kabulit nuk janë më një opsion për shkak të situatës së sigurisë.

OBSH-ja kishte planifikuar të bëjë furnizimet përmes transportit ajror mirëpo ato janë anuluar pas marrjes nën kontroll të Kabulit nga ana e talibanëve më 15 gusht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë më herët se tani po shikon mundësitë e pranimit të dërgesave mjekësore përmes një aeroporti tjetër Mazar-i-Sharif, që gjendet në veri të Afganistanit.

Sa i takon mungesës së stafit mjekësorë, zyrtari i OBSH-së tha se shumë prej tyre po ikin nga vendi, ndërsa një numër i grave që punojnë në këtë sektor nuk po paraqiten në punë, mbase nga frika prej talibanëve.

Shumë afganë kanë frikë nga hakmarrja e talibanëve pasi kanë bashkëpunuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të pranisë së tyre në këtë vend.

Ekzistojnë shqetësime të veçanta për gratë, të cilat u ndaluan kryesisht nga arsimi dhe punësimi dhe mund të dilnin nga shtëpia vetëm me praninë e një burri gjatë sundimit të talibanëve në ndërmjet vitete 1996-2001.