Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, ka zbuluar së fundmi listën me lojtarët për Europianin, i cili do të startojë më 11 qershor. Në listën me 26 lojtarë të Maqedonisë së Veriut, bëjnë pjesë edhe 6 futbollistë shqiptarë.

Në mesfushë, është ftuar futbollisti i Partizanit, Ferhan Hasani, ndërsa bashkë me të janë edhe 5 shqiptarët e tjerë. Hasani nuk ka luajtur shumë për Partizanin këtë sezon, por “Buba” pritet të jetë një lojtar i rëndësishëm për kombëtaren.

“Panorama Sport” zbulon se klubi i Partizanit, në bazë të rregullave që ka UEFA, do të përfitojë plot 2400 euro çdo ditë që mesfushori është me Kombëtaren në Europian.

Minimumi i mundshëm që Partizani do të përfitojë, është diçka më shumë se 30 mijë euro, supozojmë që Maqedonia nuk e kalon fazën e grupeve.