Mihal alias Mirgen Toshi, është shpallur në kërkim me vendim të gjykatës së Elbasanit, e cila sot ka vendosur masën e sigursë “arrest në burg” ndaj tij.

Mihal alias Mirgen Toshi (Ne foto) është i dyshuari kryesor për krimin e ndodhur më 30 dhjetor të 2011-s në Elbasan, ku mbeti i vrarë me disa plumba, biznesmeni Ilir Rexhepi.

Por në këtë fazë ku ndodhen hetimet, ai s’mund të arrestohet pasi ndodhet në një burg të Selanikut në Greqi.  “Ora News”, mëson se Mihal Toshi, aktualisht ndodhet në Selanik të Greqisë, ku po vuan një dënim me 16 vite burg për trafik droge.

Kush eshte Mihal Toshi

Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe plagosjen e Julian Beckës.

ADN-ja

Toshi është zbuluar nga një analizë ADN-je gjaku, njolla të cilat u gjendën në vendin e krimit, ku u ekzekutua Ilir Rexhepi në Elbasan.

Mësohet se ADN-ja e Toshit është ekzaminuar dhe në dy ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Elbasan,si ajo e vrasjes së Ardian Ibrahimit, kunatit të Fadil Memës dhe vrasjes së Roland Rexhepit, por profilet në këto ngjarje kanë dalë negative.

Hetimet 

Ndërkohë për ekzekutimin e Ilir Rexhepit, prokuroria e Elbasanit pak kohë më parë, ka kërkuar të ekzaminohen profilet gjenetike edhe për shtetasin Olsi alias Jorgo Leku, i kapur në Athinë, si pjesë një e një grupi kriminal që ka marrë pjesë në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit.

Deri në këtë fazë ende nuk ka një përgjigje konkrete nëse rezultatet e profileve gjenetike të Olsi Lekut të jenë të njëjta me ato që janë gjendur në vrasjen e Ilir Rexhepit. Ekzekutimi i këtij të fundit është kryer me pagesë për llogari të një grupi kriminal në Elbasan.

Kjo pasi dy vite më parë, në 29 korrik 2009, i njëjti grup kriminal, urdhëroi vrasjen e vëllait të Ilirit, Roland Rexhepit ose siç njihej ndryshe me nofkën ”Doda”. Eleminimi i dy vëllezërve është pjesë e serialit të vrasjeve mafioze të ndodhura gjatë këtyre viteve në qytetin e Elbasanit, ku si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale, janë rregjistruar shumë viktima.

ora news