Revista “Monitor” në datat 11-16 shkurt 2022 zhvilloi një vrojtim me një panel specialistësh të tregut financiar në vend, për të ndjekur pritshmëritë e tyre në lidhje me normat e interesit në lekë.

Paneli përbëhej nga 14 punonjës të bankave dhe të institucioneve të tjera financiare, të cilët kanë ekspertizë në fushën e administrimit të aktiveve / pasiveve; të investimit në tregje dhe për rrjedhojë ndjekin ngushtësisht ecurinë e normave të interesit, kurseve të këmbimit, çmimit të aktiveve financiare etj.

Ky panel të vrojtuarish përbën një grup që formon pritshmëri, të cilat i reflektojnë në operacionet dhe vendimet e tyre kur kryejnë operacione në treg apo administrojnë rreziqet. Për rrjedhojë, ata përfaqësojnë edhe pritshmëritë e përgjithshme që mund të ketë krijuar tregu financiar në Shqipëri.

Dekada e inflacionit të ulët, me norma interesi pothuaj zero, u përmbyll me derdhjen masive të fondeve në mbështetje të ekonomive, si pasojë e COVID-19 dhe me rritjen e deficiteve e borxheve publike, që pasoi. Tashmë inflacioni ka tejkaluar objektivat e bankave qendrore.

Në Janar 2022 normat vjetore të inflacionit në SHBA dhe BE rezultuan në nivelet 7.1% dhe 5.5% përkatësisht. Pasiguria luhatet ndërmjet dukurisë së inflacionit “kalimtar” dhe inflacionit “që do të jetë në mes nesh”. FED (banka qendrore e SHBA) nuk po i referohet më inflacionit si dukuri “kalimtare”. Ndërsa BQE ende po mban politika të pandryshuara në lidhje me inflacionin.

Dilema ndërmjet qëndrueshmërisë së çmimeve dhe nevojës për nxitje të rritjes së ekonomisë dhe punësimit ka dalë përsëri në pah dhe lexohet qartazi në komunikimet e formuluara tepër kujdesshëm dhe me gjuhë të mjegullt të bankave qendrore.

Ndërkohë, që këto institucione do të duhet të ndërtojnë vendimmarrjen në lidhje me “tërheqjen mbrapsht” të lehtësimit sasior, ashtu edhe me rritjen e normës së interesit, diskutimi po shtrihet edhe në shpejtësinë dhe masën me të cilën do të duhet të veprohet, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe për të shmangur rënien në recesion.

Nga nëntori i vitit të kaluar, norma e inflacionit në Shqipëri kapërceu objektivin afatmesëm, 3%, të Bankës së Shqipërisë. Në Janar 2022 inflacioni arriti në nivelin 3.7%, një normë që nuk është vërejtur prej vitit 2011.

“Banka e Shqipërisë vlerëson se dinamikat e çmimeve në tregjet botërore do të kenë ndikim kalimtar në inflacionin e çmimeve të konsumit në vend”, do të shprehej ky institucion në një intervistë të dhënë për revistën “Monitor”, në shtator 2021 (nr. 997).