Grupi hetimor ka dalë në përfundim se atentati ndaj Delon Troqes ka qenë i mirëorganizuar. Të paktën katër persona kanë marrë pjesë në vrasjen e 38-vjeccarit, ku tre kanë qenë në automjetin me të cilin bënë ekzekutimin dhe nje tjetër person i ka pritur ato në “Sherishtë”, ku edhe i ka larguar nga aty pas djegies së automjetit tip “Audi”, targat e së cilit rezultojnë të vjedhura.

Përsa i përket shkakut për ekzekutimin të Troqes, hetuesit janë duke punuar në dy pista. Pista e parë lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Kjo pasi ai kishte vetëm 2 javë që ishte kthyer nga Spanja, ku grupi hetimor ka dyshime se atje viktima ka ushtruar edhe aktivitetin e paligjshëm.

Por, nuk përjashtohet as pista e përplasjes mes grupeve kriminale, që veprojnë në qytetin bregdetar. Gjithashtu edhe vetë 38-vjeccari i trembej nje atentati pasi burime bëjnë me dije se ai ka qenë i armatosur. Viktima është i afërm i Elvis Troqes, person ky i zhdukur në korrik 2018-ës.

Për të hedhur dritë për ngjarjen policia e Vlorës ka shoqëruar në komisiariat rreth 20 persona , shumica e të cilëve dëshmitarë okularë dhe të afërm të viktimës. 38-vjeccari është qëlluar me breshëri kallashnikovi, dhe 15 plumba kanë përshkruar trupin e tij, ku fatal ka qënë një plumb i marrë në kokë. Armët e gjetura në makinën tip “Audi”, që autorët dogjën pas krimit, janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës, por sipas burimeve nga grupi hetimor ato janë shkrumbuar tërësisht, duke mos lënë asnjë provë që mund të ndihmojë hetuesit.

Shpresat më të mëdha për identifikimin e autorëve janë kamerat e sigurisë që policia sekuestroi pas atentatit. Troqe u vra mbrëmjen e djeshme me breshëri kallashnikovi teksa ndodhej pranë servisit të tij në Skelë, ku qëndronte prej ditësh që pas kthimit të tij  nga Spanja. Viktima ishte person i skeduar nga Policia e Shtetit pasi ka qenë dhe i dënuar më parë. Kjo është vrasja e dytë mafioze që trondit Vlorën brenda një harku kohor prej 10 ditësh.