El Salvador mund të bëhet shteti i parë që do të ligjërojë përdorimin e kriptomonedhës Bitcoin. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i vendit Nayib Bukele, i cili u shpreh se gjatë javës së ardhshme do i dërgojë Kongresit një projekt-ligj që monedha dixhitale të përdoret nga të gjithë njerëzit.
Sipas asaj që raporton CNN, Bitcoin do të përdoret së bashku me dollarin amerikan. Kështu, qytetarët sipas Bukele, do t’a kenë më të lehtë të bëjnë pagesa si brenda vendit ashtu edhe jashtë.
El Salvador bashkëpunoi me kompaninë e financave dixhitale Strike. Përdorimi i saj do të bëjë të mundur gjenerimin e vendeve të punës dhe do të ndihmojë në sigurimin e përfshirjes financiare.
Bukele është shprehur se miratimi i projekt-ligjit do të ishte një hap unik dhe i guximshëm. Mbi 70% e popullsisë aktive të El Salvadorit nuk kanë një llogari bankare. Ata nuk janë në sistemin financiar. Pjesa më e madhe e ekonomisë në zhvillim të El Salvadorit bazohet në dërgesat e parave nga jashtë dhe kalimi në një monedhë digjitale mund t’u lejojë anëtarëve të familjes të shmangin tarifat e kushtueshme për dërgimin e parave në shtëpi çdo muaj.
Megjithëse bankat qendrore në të gjithë botën kanë reaguar ndaj Bitcoin për përdorimin e saj, shumica e ekspertëve kanë hezituar të përqafojnë kriptovalutat për shkak se mund të sjellë paqëndrueshmëri të tregut.