Në Këshillin e Lartë Gjyqësor ka filluar mbledhja për të diskutuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të D-së për pezullim nga detyra të gjytares së Elbasanit, Enkeleda Kapedanit.

Enkeleda Kapedani ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e zv. kryetares, teksa kërkon që ti dëgjohet zëri dhe të dalë në dritë e vërteta.

Kapedani thotë se ndonjëherë ka bërë video që i përkasin jetës së saj personale, por kurrsesi me qëllim për tu publikuar ato në rrjete sociale, duke shtuar se shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë ‘account’ të tyre personale në rrjete sociale.

“Do ta nis me një ndjesë të thellë publike duke shpresuar që zëri im të dëgjohet. Kam pritur gjatë që të thërritem e të dal para jush për një çështje si ajo e vendimit që më përndjek. Kam mbyllur me rezultate të larta magjistraturën, e dyta në vend. Përballë jush keni një gjyqtare që gjithë jetën ka studiuar dhe ka dalë ekselente. Është sfidë me vete ngarkesa, respektoj afatet e gjykimeve, përmbush me përpikmëri detyrën. Ndonjëherë ka ndodhur që të kem bërë video që i përkasin jetës sime personale, por kurrsesi me qëllim për ti publikuar.

Pres prej jush gjykim të paanshëm dhe profesionalë. Dua të ngre ca pyetje: a keni rezultat mbi punën e  gjyqtares Enkeledia Kapedani? Si gjykoi unë, sa zgjat vendimmarrja ime? Kujt i interesonte nga bota e krimit kjo situatë? Ato video janë tërësisht private dhe kurrsesi për tu publikuar. Shumica e gjyqtareve dhe prokurorëve kanë tik tok, facebook, instagram, pse po shigjetohem unë, kë kam prekur unë në kallo? Ato video janë tërësisht private, ju lutem zbardheni të vërtetën. Jam gjyqtare profesioniste, nuk cedoj. Gjithmonë kam besuar në drejtësinë ligjore dhe jam e e bindur që do të provohet, jam e bindur që në këtë situatë u bëra kokë turku. Mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit te ndikojne tek vendimi juaj, mos sakrifikohem per qëllime  të tjera. Nderkohë, paraqes dorëheqjen nga detyra e zv kryetares”, është shprehur Kapedani.

Inspektori i lartë të Drejtësisë, Artur Metani, është shprehur se duhet të pezullohet nga detyra Enkeleda Kapedani deri në përfundim të hetimit.

Metani: Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.

Në një prej videove të saj, dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”, ndërsa ajo filmon veten në ambientet e gjykatës.
Në video ajo reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj tip “Audi”, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.
Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.
Ajo ka liruar nga burgu, Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Elbasani prej kohësh është kthyer në folenë e grupeve kriminale, ndërsa ekzekutimet vijojnë të ndodhin duke mos u dhënë zgjidhje nga institucionet e drejtësisë.