Javën e ardhshme do të hapet spitali Covid-5 në Elbasan. Ky është i pari spital anticovid në Shqipëri që hapet jashtë Tiranës ku aktualisht funksionojnë 4 spitale Covid me kapacitet të plotë.

Burime zyrtare bënë me dije se aktualisht është bërë gati ambienti  për këtë qëllim ku do të shtrohen të sëmurët me Covid. Po ashtu kanë mbërritur edhe pajisjet dhe gjithë infrastruktura e nevojshme. Edhe stafi mjekësor ka marrë instruksionet përkatëse dhe është i gatshëm të nisë nga puna.

Ish godina e infektivit tashmë po bëhet gati për t’u shndërruar në një repart Covid, ku fillimisht priten të akomodohen pacientë më të afërt të Qarkut të Elbasanit.

Është parashikuar që në këtë spital të qëndrojnë të shtruar pacientë që nuk janë në shkallën e fundit të sëmundjes. Ata do të dërgohen në Tiranë për shërbime më të specializuara.

Nga opinionet e marra rezulton se ka mendime pro dhe kundër për hapjen e spitalit. Megjithatë shumica e qytetarëve e kanë mirëpritur duke argumentuar se e kanë më afër dhe shmangen sorollatjet në Tiranë.

Deri më tani në Elbasan janë prekur nga 936 persona. 85 prej tyre kanë ndërruar jetë. Disa kanë qenë figura mjaft të njohura në qytet.