Albert Vrapi, një nga koreografët më të njohur në Elbasan, është ndarë nga jeta pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Lajmin e kanë bërë të ditur të afërmit, kolegët e dashamirët e artistit përmes disa postimeve ngushëlluese në rrjete sociale.
Të parët që shprehën hidhërimin për këtë ndarje të parakohshme të koreografit të njohur kanë qenë artistët dhe qarqet kulturore.
Arkivi Historik i Elbasanit përmes një postimi në facebook, ka shprehur ngushëllimet e thella për largimin nga jeta të një prej emrave më në zë për artin e qytetit.
“I MADHI ALBERT VRAPI U NDA NGA KJO JETË NË 15 11 2020. Duhet ta kujtojmë të qeshur me nota muzike qe ai i krijonte në koreografi të bukura që ne i duartrokisnim dhe ngriheshim në këmbë në teatrin Skampa.
Berti është në zemrat tona. Qytetit të Elbasanit iu shua një yll. Ylli i modernizmit, ylli i të bukurës dhe ylli i koreografisë.
Të përcjell në shtëpinë tënde të fundit me këngët e Michael Jackson .Do i mungojnë shumë teatrit koreografitë e tua”.