Ka ndërruar jetë në spital, Gazment Kurmaku, kryekamarieri i Fish City në Elbasan, i cili u qëllua me thikë, pak ditë më parë nga një klient.
Kurmaku nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve. Lajmi është konfirmuar nga vetë restoranti, përmes një postimi në Facebook.
Lajmi për ngjarjen ka ardhur para disa ditësh, kur kryekamarieri ishte në vdekje klinike.
Ai u godit nga Erjon Llapushi, personi që shihni në foton më poshtë. Ngjarja ndodhi për tavolinën e rezervuar nga Llapushi.
Si ndodhi ngjarja e rëndë
Pesë ditë më parë, saktësisht në datë 2 Tetor, Gazment Kurmaku, i cili ishte shef shërbimi në kompleksin e Gjergj Lucës, Fish City, në Labinot në dalje të Elbasanit në drejtim të qytetit të Librazhdit, u qëllua me grushte, thikë dhe sende të forta nga një klient, i cili nuk pranoi faktin që tavolinë ku ishte ulur, ishte rezervuar.
Erjon Llapushi kishte shkuar si klient në restorant, por 50-vjeçari që ishte në krye të detyrës si shef i kamarierëve e njoftoi se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar për disa klientë të tjerë.
Llapushi kundërshtoi dhe debati agravoi. Po sipas burimeve nga Policia e Elbasanit, që rastin e njoftoi si sherr banal, Llapushi e goditi Gazment Kurmakun me grushte dhe sende të forta. 50-vjeçari ra duke përplasur kokën me një pjesë betoni duke përfunduar në gjendje kome.
Pas ndihmës së parë në spitalin e Elbasanit, 50-vjeçari u transportua në Tiranë në “vdekje klinike”. Pavarësisht përpjekjes së mjekëve, mbrëmjen e sotme ai ndërroi jetë. Ndërkohë që autori i plagosjes me pasojë vdekjen, Erjon Llapushi është ende në arrati.