Policia ka goditur një tjetër rast në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Vihet në pranga një 18-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte nga Korça në drejtim të Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kapën dhe arrestuan shtetasin:
A. B., 18 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Korçë.
Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Librazhd-Elbasan duke transportuar 5 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 100 euro për person, me një mjet që e drejtonte pa leje drejtimi.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Top Channel