Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndaluan shtetasit R. V., 25 vjeç dhe R. H., 18 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitet kriminal duke shitur lëndë narkotike në doza të vogla, me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde narkotike marijuanë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 aparate celular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin O. H., 29 vjeç, banues në Borizanë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në Borizanë, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. G., 32 vjeç, banues në Kamzë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel