Gjyqi ndaj ish-efektivit të Forcave Speciale, Arbër Paplekaj, është shtyrë përsëri këtë të hënë. Kjo është hera e disatë, të paktën shtatë seanca janë shtyrë që nga njoftimi i gjykimit, dhe gjyqi i radhës është caktuar të zhvillohet më 22 dhjetor.

Gjykata e Elbasanit ka kërkuar kohë të shqyrtojë kërkesat e bëra nga avokatët, ndërkohë që pritet që në seancën e së enjtes, në orën 09.00, të shqyrtohen dhe kërkesat e të pandehurve të tjerë për gjykim të shkurtuar. Në ngjarjen e ndodhur para zgjedhjeve të 25 prillit, mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani.

Gjithashtu, në këtë seancë u kërkua ndarje e çështjes së ish-efektivit Arbër Paplekaj nga ajo e policëve, pasi dy ish-zv.drejtorë të Policisë dhe disa efektivë të “Shqiponjave”, akuzohen për shpërdorim detyre. Mes të tjerash u kërkua edhe pavlefshmëri e disa akteve të hetimit.

Arbër Paplekaj akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Ditë më parë, Arbër Paplekaj ka bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë që çështja në ngarkim të tij të gjykohet në një gjykatë tjetër, në Tiranë, pasi në Elbasan ekziston mundësia që trupi gjykues të ndikohet nga bandat. Po ashtu, ish-speciali i RENEAS ka thënë se nuk është i sigurt në Elbasan.