DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitorja”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Arrestohet në flagrancë 42-vjeçari që shpërndante kokainë dhe kanabis, në qytetin e Elbasanit.

Sekuestrohen 1 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, doza kokaine dhe kanabisi, 1 peshore elektronike dhe 2 aparate celulare.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shëtitorja”.

Në kuadër të këtij operacioni është vënë në pranga shtetasi I. F., 42 vjeç, banues në Elbasan, pasi është kapur në flagrancë me doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 1 peshore elektronike, 2 aparate celulare dhe dozat me kokainë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Elbasanit. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tij kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme./egnatia news