Elbasan / Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, sipas të cilit, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, në fshatin Mengel, shtetasi E. Z., duke drejtuar mjetin tip “Benz “, kishte humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe kishte goditur mjetin tip “Reno” (mjet për pastrimin e plehrave) me drejtues shtetasin V. P., 56 vjeç, banues në Elbasan, përplasje e cila kishte sjellë si pasojë dëmtimin e 2 shtetasve, ju bëjmë me dije se:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. Z. ,70 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”. Pas testimit me aparatin alkool-testues, 70-vjeçari ka rezultuar në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin V. H., 47 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimit e Krimeve të Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasit A. B., 29 vjeç dhe Xh. B., 25 vjeç (vëllezër), banues në Prrenjas, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një konlikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin A. H., 40 vjeç, banues në Prrenjas.
-Ka kallëzuar shtetasi F. C., 51 vjeç, banues në Gramsh, se është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, vëllai i tij, shtetasi F. C., 57 vjeç. Vijon puna për gjetjen e tij.
-Ka kallëzuar shtetasi A. K., 71 vjeç, banues në Gramsh, se është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, djali i tij, shtetasi B. K. , 41 vjeç. Vijon puna për gjetjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.