Bllokohen nga Policia, 3 mjete që transportonin inerte në mënyrë të paligjshme.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet policore të Komisariateve të Policisë Cërrik dhe Gramsh, kanë bërë të mundur bllokimin e 3 mjeteve që transportonin inerte në mënyrë të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Fshehja e të ardhurave“, shtetasi R. L., 30 vjeç, banues në Cërrik, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke transportuar inerte (gurë), pa dokumentacion shoqërues të mallit.
Gjithashtu është proceduar penalisht shtetasi S. P., 56 vjeç, banues në Gramsh, pasi është kapur duke transportuar me një mjet tip kamionçinë, inerte (rërë), pa dokumentacion shoqërues të mallit.
Procedohet penalisht dhe 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan proceduan penalisht shtetasin I. H., 41 vjeç, banues në Elbasan, pasi është konstatuar duke ndërtuar pa leje, një kat shtesë në banesën e saj.
Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik proceduan penalisht shtetasen N. S., 55 vjeçe, banuese në Belsh, pasi është konstatuar duke ndërtuar pa leje, një kat shtesë në banesën e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
DVP Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.