Ardit Hida, i riu nga Elbasani që në datën 5 nëntor të 2021 u përfshi në një ngjarje kriminale, ku mbeti i vrarë me thikë, Florenc Kovaçi dhe u plagos rëndë vëllai i tij, Mikel Kovaçi, është marë i pandehur nga prokuroria e Elbasanit.

Çështja ndaj tashmë u dërgua për shqyrtim në gjykatën e qytetit, ku Hida pritet të përballet me akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”, vepër kjo që mund ti sjellë autorit dënimin me burg të përjetshëm. Hetimet e kryera nga prokuroria Elbasan, kanë provuar se një lidhje dashurie e të vëllait, u bë shkak për vrasjen e Florenc Kovaçit në  Elbasan

Mikel Kovaçi, vëllai i viktimës që gjithashtu mbeti i plagosur, kishte krijuar një lidhje intime me motrën nga nëna, të autorit të dyshuar të krimit, Ardit Hida.Sipas hetimeve rreth orës 17:30, Aida Caushi, ka shkuar tek “Sporti i vjetër” me biçikletë dhe aty është takuar me Mikelin, vëllain e tij Florencin dhe një shok të tyre me emrin Visi. Pasi Hida ka marrë dijeni mbi lidhjen e motrës, Aida Caushi me Mikelin është shfaqur rreth 2 orë më vonë, në 19:30 tek “Sporti i vjetër”, ku ka gjetur Aidën me vëllezërit Kovaçi dhe shokun e tyre Visi. Ardit Hida është afruar aty dhe ka kapur nga bluza Visin duke i thënë “…Çfarë ke me motrën time…?”.

Më pas aty është afruar Mikeli, të cilit dhe këtij i ka thënë të njëjtën gjë. Në këtë moment Arditi, ka nxjerrë thikën nga xhepi dhe ia ka ngulur një herë në trup Mikelit, i cili është larguar me vrap së bashku me shokun e tij Visin.

Në vend ka qëndruar vetëm Florenc Kovaçi, ku Arditi e kishte kapur dhe e ka goditur një herë me thikë në zemër. Aida është larguar menjëherë për në banesën e saj ndërsa Arditi pasi ka kryer këto veprime ka shkuar në lokalin e shtetasit Genci.K ku dhe ka pastruar thikën dhe më pas është larguar duke shkuar në banesën e tij. Policia e ka gjetur Arditin në shtëpinë e gjyshes së tij së bashku me Aidën.

Ai ka pranuar krimin ndërsa ka treguar se thikën e kishte fshehur në dollap. Nga ana e policisë është gjetur dhe sekuestruar thika e cila ndodhej në dollapin e rrobave e lare dhe e pastruar nga Arditi.

Ora news