Elbasani ka festuar sot kthimin zyrtarisht në Kategorinë Superiore. Suksesi ndaj Apolonisë në ndeshjen e darkës i dha mundësinë skuadrës së Nevil Dedes që të siguronte matematikisht distancën që i duhej nga vendi e tretë i Flamurtarit që ta cilësonte vetën përsëri pjesë të elitës.
Elbasani nuk kishte mundësinë që në këtë ndeshje vendimtare ndaj Apolonisë, të fituar me shifrat 1-0, të kishte si përkrahje tifozët e zjarrtë të skuadrës verdheblu, pasi stadiumi ishte mbyllur nga një vendim i Disiplinës.
Por pas sfidës, lojtarët kanë nisur festën e tyre në fushën e lojës dhe më pas atyre u janë bashkuar edhe një grup tifozësh që kishin qenë jashtë stadiumit, në pritje të dekretimit të ngjitjes përsëri në elitë të klubit të qytetit.