Elbasani ka nisur sot siparin e festimeve të ditës së verës.  Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Festa pagane e Ditës së verës e cila traditën e ka në Elbasan, në qytetin e luleve, nuk mund të konceptohet e tillë pa fëmijët. Janë vogëlushët ata të cilët lumturohen dhe e presin me pa durim këtë festë të lashtë. Larmi aktivitetesh kanë nisur të realizohen në të gjitha kopshtet e qytetit të Elbasanit, ku nën drejtimin e stafit të arsimit parashkollor, vogëlushet kanë performuar mjaft bukur, vjershat, këngët, lojëra të ndryshme si edhe dramatizime në fokus të të cilave kanë qenë për lulet, për dashurinë ndaj njëri tjetrit e për ardhjen e Verës. Dekoret e bukura gërshetuar me veshjet verore dhe plot ngjyra kanë celur edhe siparin e festimeve të kësaj feste të lashtë në Elbasan. Një skenë e vërtetë me plot ngjyra dhe lule, është kthyer parku Aqif Pasha sot në Elbasan  vetëm për  vogëlushët, duke i kthyer ata në artistë të vërtetë. Me shumë profesionalizëm për moshën e tyre, vogëlushët prezantuan në këtë panair gatime dhe punime tradicionale te ditës së verës

Aktivitetet të cilat kanë nisur me kopshtet organizohen nën kujdesin e vecantë të kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja, i cili një fokus të vecantë të festimeve ia ka kushtuar fëmijëve. E pranishme në këto evente ka qenë edhe ministrja Evis Kushi e cila ka mbajtur edhe fjalën e rastit.

Dita e Verës përcjell tek vogëlushët kënaqësinë që asnjë i rritur nuk mund ta ketë. Me ciltërsinë dhe naivitetin që kanë,vogëlushët janë të parët që nisin festimet dhe të fundit që i mbeten në mendje, duke i krijuar eksperienca të reja e emocione të bukura dhe të paharruara. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. /EGNATIA NEWS