Efektet afatgjatë të pandemisë
“Pandemia ka ndikuar negativisht në sektorin e turizmit. Për një qytet si Elbasani i cili ofron vetëm turizëm kulturor efektet janë edhe më të dukshme. Gjatë këtyre dy viteve pandemie, numri i turistëve mund të numërohej me gishtat e dorës”.
Turizmi duket se po i rikthehet gradualisht normalitetit. Rezervimet në nivel kombëtar janë më mirë se pritshmëria, por arritja e nivelit të 2019-s shihet e pamundur. Fakt për këtë janë qytetet që nuk kanë bregdet si Elbasani. Qyteti vijon të jetë i qetë. Në rrugicat e kalasë, tek-tuk të has syri turistë. Ndërkohë qendrës së qytetit ka kohë që i mungojnë autobuzat e agjencive që sillnin turistë.
Mungesa e turistëve është reflektuar në ekonomi. Bizneset e lidhura me turizmin nuk po ngrijnë dot kokë. Fakt të zbrazjes dhe qetësisë që ka pllakosur qytetin janë qytetarët. Ata kërkojnë më shumë promovim dhe masa që turistët të zbarkojnë në Elbasan, pasi resurset nuk i mungojnë.
Shtylla e turizmit edhe këtë vit është Kosova. Drejtorja e muzeut etnografik, ku është edhe ndalesa e parë e turistëve në Elbasan konfirmon se prej dy vitesh qyteti ka pritur fare pak turistë.
Heqja e kufizimeve në bllok nga Bashkimi Europian për Shqipërinë dhe lehtësimet individuale të deklaruara të shteteve të ndryshme brenda këtij komuniteti, është një ogur i mirë për sezonin turistik shqiptar. Grupet që më herët nisën të vizitonin vendin tonë, si ukrainasit dhe bjellorusët pak më vonë, u pasuan edhe me turistë të tjerë, si polakët dhe çekët.