Studiuesit nga Chalmers Institute of Technology dhe University of Frieburg kanë propozuar përdorimin e një teknike të re që mundëson shërimin e dëmtimeve kronike më shpejt se kurrë.

Sëmundjet si diabeti, kanceri, çrregullimet e qarkullimit të gjakut apo dëmtimet e shtyllës kurrizore mund të ndikojnë gjithashtu dhe në aftësinë e trupit tonë për të shëruar dëmtimet. Pacientët që jetojnë me këto sëmundje shpesh herë përballen me plagë të cilat nuk shërohen për një kohë të gjatë, duke u shndërruar kështu në një burim infeksioni që mund të çojë deri në amputim të anësisë së prekur.

Megjithatë në studimin e fundit studiuesit tregojnë se mund të shërojnë këto plagë kronike 3 herë më shpejt nëpërmjet terapisë elektrike. “Ne kemi zbuluar një metodë që mund të shërojë plagët deri në 3 herë më shpejt, e cila mund të jetë shumë e rëndësishme për pacientët diabetik apo ata në moshë të madhe.” tha Maria Asplund, një nga autoret e këtij studimi.

Për të testuar aftësinë e shërimit nëpërmjet elektricitetit, studiuesit morën dy qeliza të cilat i dëmtuan. Më pas, njëra prej qelizave iu nënshtrua riparimit nëpëmjet ndihmës së fushës elektrike (200mV/mm), ndërkohë që qeliza tjetër nisi të shërohej pa asnjë stimul elektrik.

U vu re se elektriciteti bëri të mundur që qeliza të shërohej deri në 3 herë më shpejt se qeliza tjetër. “Ne ishim në gjendje të vërtetonim se hipoteza e vjetër në lidhje me stimulimin elektrik mund të përdoret për të shëruar sa më shpejt plagët.” shtoi Asplund.

Fusha elektrike e përqendruar tërheq qelizat në një vend të caktuar, ndërkohë që kur nuk ka një fushë elektrike, qelizat lëvizin në një drejtim të çfarëdoshëm, prandaj proçesi i shërimit është më i ngadaltë.