Janë identifikuar dy personat e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit Taulant Gjikaj, që ndodhi mesditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Burime bëjnë me dije se personat e shpallur në kërkim janë Skedjan Gabrani dhe Elton Hajnaj.

Mësohet se të dy këta persona kanë qenë në makinë së bashku me 44-vjeçarin Hansi Jonuzi, i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme nga Policia, ndërsa në mjet u gjet dhe arma e përdorur në vrasjen e Gjikajt.

Sakaq Policia ka shoqëruar më shumë se dhjetë persona, që mund të kenë parë skenën e krimit, dhe të kenë dijeni për vrasjen, dhe janë kryer kontrolle në disa banesa me qëllim kapjen e autorëve.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kishin fiksuar dhe momentin e vrasjes, kanë ndihmuar policinë që të bjerë në gjurmët e autorëve.

Gjikaj u ekzekutua mesditën e djeshme pranë rrugës Transballkanike në Vlorë, në afërsi të Gjykatës së Apelit, me breshëri kallashnikovi, ndërkohë që Fax News ka siguruar dhe pamjet e momentit të vrasjes, të cilat mund ti shihni në videon e mëposhtme.

Forcat policore mundën të arrestonin menjëherë pas ngjarjes së rëndë 44-vjeçarin Hans (Andi) Jonuzaj të cilit iu sekuestrua një armë automatike në makinë, si dhe shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tij.

Në dëshminë e parë para hetuesve, i arrestuari Hans (Andi) Jonuzaj ka mohuar autorësinë. “Nuk e kam kryer unë krimin” mësohet të ketë thënë 44-vjeçari, i cili ka disa biznese në qytetin bregdetar.

Mësohet se pista kryesore mbi të cilën po hulumtojnë hetuesit është ajo e prishjes së pazareve të drogës.

Viktima është një person me precedent të mëparshëm penali, i arrestuar për armëmbajtje pa leje gjatë një konflikti me armë mes bandave në qytetin e Vlorës në vitin 2017.

Pas kqyrjes së vendit të ngjarjes ditën e djeshme 31-vjeçarit të ndjerë i është gjetur në brezë një armë zjarri tip pistoletë.

(E.K/Faxweb.al)