Enrique Iglesias është detyruar të tërhiqet nga festivali “Tecate Emblema” pasi iu shfaq pneumonia.

Krijuesi i hitit “Hero” u desh të mbyllte natën e parë të festivalit muzikor dy-ditor në Mexico City, por u tha fansave se ishte urdhëruar të bënte ‘pushim’ dhe i ishte ndaluar të fluturonte.

Në një deklaratë të shpërndarë në gjuhën spanjolle në llogaritë e tij në rrjetet sociale, Enrique shkroi: “Të dashur fansa, do të jetë e pamundur për mua të paraqitem në shfaqjen sonte në Meksikë”.

“Unë kam pneumoni dhe mjekët më kanë këshilluar pushim dhe më kanë ndaluar të hipja në aeroplan”, theksoi ylli i famshëm.

48-vjeçari u zotua se do të kthehej në Meksikë ‘së shpejti’.

Sinqerisht jam i trishtuar që anuloj këtë shfaqje në një vend që më ka dhënë kaq shumë. Shpresoj të shërohem shpejt dhe të jem në gjendje të jem me ju të gjithë”, theksoi mes tjerash këngëtari.

Organizatorët më vonë konfirmuan se një mori artistësh do të merrnin përsipër të plotësonin vendin e Enriques.