‘Molla e sherrit’ mes Greqisë dhe Turqisë është blerja e avionëve ushtarakë nga SHBA.
Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë sa vijnë e shtohen. Presidenti Rexhep Taip Erdogan ka dhënë disa deklarata mjaft të ashpra, të cilat i vështirësojnë edhe më shumë marrëdhëniet greko-turke.
“Për mua, Mitsotakis nuk ekziston”, tha Erdogan, duke sqaruar se nuk ka në plan të takohet sërish me kryeministrin grek. Ai akuzoi Mitsotakis se po përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.
“Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë me të. Pavarësisht kësaj, javën e kaluar, ai pati një vizitë në SHBA dhe foli në Kongres dhe i paralajmëroi ata të mos na jepnin avionët F-16“, u shpreh Erdogan.
Por kësaj deklarate i është përgjigjur edhe pala greke. “Politika e jashtme greke bazohet fort në histori, të drejtën ndërkombëtare dhe aleancat tona, sado që i shqetëson disa. Ne nuk do të përballemi me deklarata me lidershipin turk. Politika jonë është një politikë parimesh”, thotë një zëdhënës i qeverisë.
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me presidentin amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë javën e kaluar, kryeministri grek bëri të ditur se Athina zyrtare do të nisë procedurat për blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Uashingtoni deri në vitin 2030.