Qemal Lame, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1982-1992 ka folur lidhur me dënimet e qytetarëve në kohën e komunizmit.
Në emisionin “Opinion”, Lame ka kujtuar disa nga rastet kur i është kërkuar arrestimi i qytetarëve edhe pa pasur prova kundër tyre. Një nga këto raste është dhe gjyshi i kryeministrit Edi Rama, babai i Kristaq Ramës.
Lame thotë se ai ishte 82 vjeç dhe se arrestimi i tij është kërkuar për shkak se fliste keq ndaj partisë dhe se nuk ishte dakord me reformat që po kryente partia komuniste.
“Ishte 82-vjeç, unë nuk e dija se ishte babai i Kristaq Ramës, ndërsa Edi sapo kishte mbaruar si student. Ai do arrestohej për agjitacion dhe propagandë. Më kanë sjellë materialet denoncuese drejtori i Sigurimit të Shtetit dhe më tha se ai është person i rrezikshëm dhe duhet arrestuar. Merresh, ka folur kundër partisë, nuk është dakord me vijnë e partisë nuk është dakord me reformat që po bëhen dhe se nuk kishte asnjë aktivitet nga ato që lexova unë kuptova që ishin bashkëpunëtorët e sigurimit që e kishin marrë dhe më pas dilin si dëshmitarë. Thash unë si të arrestohet një 82 vjeçar, shikoni nëse ka ndonjë veprimtari dhe se në opinionin publik nuk bën. Ndërkohë sa isha kthyer nga Tropoja, atje ishte dënuar një arsimtare për agjitacion dhe propagandë Irkuja Aliaj në një fshat të Tropojës dhe kisha vajtur me porosi nga Enveri. I thash lëreni këtë, por pas dy muajsh më vjen për të dytën herë për arrestimin dhe thonin se ka qenë shofer i Zogut,”-tha Lame.