Bombardimet ruse kanë djegur një treg në qytetin lindor të Ukrainës, Slovyansk, duke vrarë 2 persona dhe plagosur 7 të tjerë.

“Ky është terrorizëm i pastër!”, tha kreu i rajonit Donetsk, Pavlo Kyrylenko.

Kryebashkiaku Vadym Lyakh deklaroi se Slovyansk po goditet nga sulmet e artilerisë ruse nga pozicione më të afërta. Ai postoi në rrjetin social Facebook foto të zjarrit të së martës, krahas së cilës përshkroi bombardimet massive dhe u kërkoi njerëzve të mos dalin jashtë, por të qëndrojnë në vende të sigurta.

Rusia kërkon të pushtojë të gjithë zonën industriale lindore të Donbasit. Zona përbëhet nga dy rajone, Luhansk dhe Donetsk.

Javën e kaluar, ushtria e Ukrainës tha se duhej të tërhiqej nga Lysychansk, bastioni i fundit i saj i mbetur në Luhansk, nën zjarrin intensiv rus.