Ashtu sic kishin paralajmëruar, studentët e mjekësisë kanë nisur protestën e tyre. Protesta, në nisje të vitit akademik, vjen pas vendimit të qeverisë që i detyron ata të punojnë 5 vite në vend, dhe më pas të të marrin diplomën.
Por kjo është kundërshtuar fort nga këta studentë, të cilët kanë vendosur që sot të bojkotojnë procesin mësimor.
“Nuk po luftojmë vetëm për një të drejtë tonën. Kemi që nga korriku që protestojmë. Kjo është vetëm dita e parë e bojkotit, shpresoj që në ditët në vijim do të jemi më shumë. Mjekësia është elita e këtij vendi. Ne nuk jemi tradhtarë, siç na kanë përmendur. Është tjetërkush që shpërdoron të ardhurat e këtij populli. Ne jemi ata, që sakrifikojmë sa e sa vite për t’i shërbyer këtij populli. Ligji për mjekësinë është i padrejtë. Për këtë arsye Mjekësia do të bojkotojë. Shumë ë vërtetë që mjekët largohen, por ky është faji individual i atyre që ikin dhe faji i instancave shtetërore, që nuk ua mundësojnë kushtet dhe sigurinë. Për këtë arsye mjekët largohen”- u shpreh një prej tyre.