Inspekton ecurinë e mësimit plotësues
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka vijuar me inspektimet në shkolla, për të ndjekur nga afër ecurinë e mësimit plotësues, ndërkohë që mbeten edhe dy javë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021-2022.Në shkollën 9-vjeçare “Bardhyl Popa” në Elbasan, ministrja Kushi është njohur nga afër me ecurinë e mësimit plotësues, zbatimin e masave antikovid, procesin e shpërndarjes së librave falas, zhvillimin e aktiviteteve kulturore-sportive, si dhe futjen e lëndës së anglishtes që në klasë të parë.
Gjatë vizitës së saj në këtë shkollë, Kushi nënvizoi se pjesëmarrja e nxënësve në mësimin plotësues duket shumë e kënaqshme, gati – gati si mësim normal.
Ajo përgëzoi mësuesit për punën intensive për të ndihmuar për një fillim sa më të mirë të këtij viti shkollor, ndërkohë që ka kërkuar nga të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore që të vijojnë me këtë ritëm të lartë pune.