Pushtimi i shpejtë i Afganistanit nga talebanët paraqet një sfidë të re për kompanitë e mëdha të teknologjisë amerikane në trajtimin e përmbajtjes të krijuar nga grupi i konsideruar “terroristë” nga disa qeveri botërore. Aljazeera shkruan se gjiganti i mediave sociale Facebook konfirmoi të hënën se i përcakton talebanët një grup terrorist dhe i ndalon ata dhe përmbajtjet që mbështesin atë nga platforma e tij.
Por anëtarët talebanë thuhet se kanë vazhduar të përdorin shërbimin e mesazheve të koduara të Facebook-ut, WhatsApp për të komunikuar drejtpërdrejt me afganët pavarësisht se kompania e ndalon atë sipas rregullave kundër organizatave të rrezikshme. Një zëdhënës i Facebookut tha se kompania po monitoronte nga afër situatën në vend dhe se WhatsApp do të ndërmarrë veprime për çdo llogari që është e lidhur me organizatat e sanksionuara në Afganistan.
“Talibanët janë në listën e organizatave të rrezikshme të kompanisë dhe për këtë arsye çdo përmbajtje që promovon ose përfaqëson grupin është e ndaluar. Talibanët janë të sanksionuar si një organizatë terroriste sipas ligjit amerikan dhe ne i kemi ndaluar ata nga shërbimet tona sipas politikave tona të Organizimeve të Rrezikshme. Kjo do të thotë që ne heqim llogaritë e mbajtura nga ose në emër të talebanëve dhe ndalojmë lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e tyre,” tha Adam Mosseri, zëdhënës i Facebookut.
Të pyetur në lidhje me përdorimin e platformës nga talebanët, kompania vuri në dukje politikat e saj kundër organizatave të dhunshme, por nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters se si i bën klasifikimet e saj. Rregullat e Twitter thonë se nuk lejon grupe që promovojnë terrorizmin dhe dhunën kundër civilëve.
Kthimi i talebanëve ka ngritur frikën se do të godasë lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e grave, dhe se vendi mund të bëhet një strehë edhe një herë për grupet e dhunshme. Zyrtarët talebanë kanë lëshuar deklarata duke thënë se duan marrëdhënie paqësore ndërkombëtare dhe kanë premtuar se do të mbrojnë afganët.