Sipas një raportimi nga Politico ku citohet një zëdhënës i Facebook, tregohet se platforma nuk do të fshijë më pretendimet e përdoruesve se COVID-19 është krijuar nga njeriu. Ky vendim u mor për shkak të rritjes së interesit rreth origjinës së virusit, duke përfshirë dhe një urdhër nga presidenti i SHBA, Joe Biden, për investigimin e hipotezës së “shpërndarjes nga laboratori”.
Informacione të gabuara shpesh herë kanë qarkulluar në Facebook, si përshembull në rastin e krizës së Ebolas në 2014, dhe kompania është nën presion nga ligjvënësit për pastrimin e tyre. Gjatë pandemisë së COVID-19 u shpërndanë lajme mjaft të rrezikshme që sugjeronin pirjen e ilaçit zbardhues për kuruar koronavirusin, edhe pse Facebook deklaroi se do të ndërmerrte masa për ndalimin e këtyre mesazheve të rreme.
Që nga kjo kohë, Facebook ka update-uar listën e deklaratave që do të fshihen nga platforma, duke përfshirë dhe propagandën kundër vaksinimit. Për të shmangur keqinformimin, kompania përfshiu një listë zyrtare se ku njerëzit mund të merrnin informacione të vërtetuara shkencërisht.
Joe Biden publikoi një deklaratë ditën e sotme ku tha se komuniteti i inteligjencës beson në dy skenare të mundshme: atë që thotë se virusi u përhap nga kontakti i njeriut me një kafshë, dhe skenarin ku përhapja e tij u bë aksidentalisht nga një laborator. Megjithatë ky komunitet nuk ka siguruar prova të mjaftueshme për të vendosur se kush është ngjarja që ka ndodhur në të vërtetë.