Fundviti shënon një kohë ku blerjet e ushqimeve bëhen thelbësore për shumë familje. Fokusi kryesor i tyre është çmimi, i cili vazhdimisht rritet vit pas viti.

Nga një vëzhgim i Monitor në treg rezulton se me një shumë të caktuar parash sot mun dtë blesh më pak produkte.

Në një krahasim me vitin e kaluar, kur me 10 mijë lekë mund të blihej një gamë më e gjerë e produkteve, tani kjo shumë ka bërë një diferencë të dukshme.

Nëse vitin e kaluar mund të blinim 23 produkte bazë të shportës me një shumë prej 10 mijë lekësh, tani kjo sasi është ulur dukshëm.

Me të njëjtën shumë, në dhjetor 2023  mund të blihen vetëm 17 produkte të njëjta, duke përfshirë një gamë më të ngushtë të artikujve ushqimorë.

Në këtë situatë, një numër i konsiderueshëm i produkteve është zvogëluar, duke bërë që shporta të jetë më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.

Përveç uljes së numrit të produkteve në shportë, një faktor i rëndësishëm është rritja e vlerës totale të shportës.

Kur më parë me 10 mijë lekë mund të mbulonin koston e 23 produkteve bazë, tani për të njëjtat produkte, shuma totale ka arritur 12.3 mijë lekë. Kjo rritje e shumës është një shenjë e qartë e shtrenjtimit të çmimeve, duke shtuar sfidat dhe kufizimet për konsumatorin e përditshëm

Vrojtimet në treg tregojnë se çmimet janë shtrenjtuar për rreth 20-25% krahasuar me një vit më parë, çka do të thotë se 10 mijë lekëshi sot vlen 20-25% më pak.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur për vajin e ullirit, mishin e pulës, pataten, vezën dhe larësin e rrobave, duke arritur nga 39-61% (shiko tabelën).

Kjo sjellje e tregut ka sjellë sfida të reja për konsumatorët, duke i detyruar ata të kufizojnë shpenzimet e tyre dhe të kërkojnë alternativa më ekonomike.

Shtrenjtimi i çmimeve ka ndikuar shumë  në blerje e familjeve. Familjarët theksojnë se rritja e çmimeve prek jo vetëm një produkt, por përfshin gjithë shportën e tyre.