Policia e Shtetit ka planifikuar masat që do të ndërmerren për mbarvajtjen e ndeshjes të finales së UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës/Itali dhe Feyenoordit/Hollandë, në datën 25 maj 2022 në “Air Albania Stadium.”

Në një konferencë për mediat, zvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetiu Albert Dervishaj prezantoi masat. Ai bëri me dije se nga muaji shkurt janë zhvilluar disa trajnime të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me përfaqësues të UEFA-s, me Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Brendshme dhe me aktorë të tjerë që kanë detyrime për të ofruar një qasje të integruar të sigurisë dhe të shërbimeve në ambientin sportiv ku do të zhvillohet kjo ndeshje futbolli.

Ndërkohë nga informacionet e deritanishme rezulton se do të ketë një pjesëmarrje të konsiderueshme sportdashësish që do të mbështetin skuadrat e tyre të futbollit për këtë finale, nga Italia dhe Hollanda, të cilët do të vizitojnë Tiranën apo edhe qytete të tjera të vendit tonë.

Masa të veçanta janë parashikuar nga Policia e Shtetit, për të qenë prezent për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillojë Bashkia e Tiranës, për pritjen e sportdashësve të dy ekipeve në dy “Fan Zonat”, tek shëtitorja “Murat Toptani”, për sportdashësit e ekipit të Feyenoord dhe në zonën e Amfiteatrit në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, për sportdashësit e ekipit të Romës, por edhe në aktivitetin festiv që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”.Lëvizja e sportdashëve të ekipit të futbollit të Feyenoord drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek pedonalja “Toptani”, përgjatë bulevardit “Deshmorët e Kombit”, në rrugën “Gjergj Filipi”, ndërsa ajo e sportdashësve të ekipit të futbollit të Romës drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek Amfiteatri në kodrat e Liqenit Artificial, sheshi “Chopin”, rruga “Lek Dukagjini”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm, konsistojnë në disa plane, si në:– Eskortimin e ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;– Eskortimi i Personaliteteve të Larta të UEFA dhe Personaliteteve të tjera Shtetërore nga aeroporti i Rinasit në hotel dhe në kthim për në Rinas;– Eskortimi i automjeteve me sportdashës të të dy ekipeve të futbollit nga Rinasi dhe Durrësi në Tiranë dhe në kthim;– Garantimin e rendit publik në dy “Fan Zonat” ku do të qëndrojnë një pjesë e mirë e sportdashësve të të dy ekipeve, gjatë lëvizjes së tyre nga “Fan Zona” në stadium dhe largimin në përfundim të ndeshjes;– Organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium, në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek kolonat në sheshin “Italia”;– Mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium;– Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;– Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;– Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit etj.