Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar ligjet për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin Finlandës dhe Suedisë.

Përmes një njoftimi nga Presidenca, thuhet ndër të tjera se anëtarësimi i këtyre vendeve është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria.

Njoftimi i plotë   

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

10 korrik 2022

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjet si vijon:

–  Ligj nr. 56/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës”;

–  Ligj nr. 57/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.

Republika e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e Republikës së Finalndës dhe të Mbretërisë së Suedisë në NATO.

Anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria.

Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë.

Së bashku qëndrojmë më të fortë!