Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar mbi Përkujtimin e Holokaustit dhe Luftën kundër Antisemitizmit.

Gjatë fjalës së tij në këtë forum, Rama ka theksuar se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa para saj dhe vendi ynë sipas tij u kthye në një strehë të sigurt për këtë entitet. Ai tha se historia përsëritet sërish dhe Shqipëria mirëpriti rreth 4 mijë migrantë afganë, të cilët ishin të pasigurt për të qëndruar në vendin e tyre.

“Ju falemnderit. Kam një fjalim me tre kapituj këtu, po do të flas shkurt. Dyshoj nëse të gjithë në këtë sallë e njohin historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, ndaj do më duhet të përsëris atë çka thashë në një prej seancave; Shqipëria është vendi i vetëm në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe është vendi që u kthye në një strehë të sigurt për hebrenjtë, të cilët erdhën pikërisht për të gjetur strehë e për të shpëtuar pikërisht në atë kohë kur në kontinentin tonë, të ishe hebre, ishte praktikisht një dënim me vdekje.
Do të merrte gjatë po të tregoja sesi ndodhi dhe arsyet për këtë, por në themel qëndron ligji ynë zakonor, kodi i nderit i shqiptarëve, Kushtetuta jonë e parë, nëse mund ta them kështu, që nga mesjeta. E gjitha nis me një paragraf që thotë se ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Përkthimi fjalë për fjalë nuk është “e mikut” në kuptimin e njerëzve që fton, po e shtegtarit që, në kërkim të strehës, mund të të trokasë në derë. Pason një shpjegim të tërë për trokitjen në derë, detyrimin për ta hapur dhe ndëshkimi më i ashpër i ligjit zakonor është për ata që nuk e respektojnë këtë paragraf. Forma më e rëndë e çnderimit është të tradhtosh mikun.

Kështu, hebrenjtë në Shqipëri ishin edhe më parë një komunitet i vogël dhe Shqipëria ishte mes të paktave vende Europë që përcaktonte me ligj të drejtën e Shabatit të tyre. Shabati ishte e drejtë ligjore dhe asnjë subjekt punëdhënës i sektorit publik ose privat nuk mund ta penalizonte, një person, një hebre pse s’ishte në punë për shkak të Shabatit.

Po çfarë bëmë me gjithë këtë histori më pas? Mendoj se për ne është thelbësore që të vazhdojmë të ecim në këtë drejtim dhe të bëjmë sa më shumë të mundemi që fëmijët tanë, jo thjesht të mësojnë prej kësaj historie, por edhe t’i rrinë besnikë këtij kodi nderi.