Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri pritet që të dalë sot përpara ambienteve të SPAK, ku do të njihet me masën e sigurisë, pas arrestimit të tij 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit, nën akuzën e shitblerjes së votave.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se SPAK do të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg”. Çështja gjykohet nga gjyqtarja e posaçme Atalanta Zeqiraj.

Më 13 maj, kur u dha masa e sigurisë, avokati i Fredi Belerit foli për mediat pas vendimit të Gjykatës së Vlorës. Avokati tha se akuza ishte politike dhe gjithçka ishte montim politik, por një gjë ishte e qartë: arrestimi i kandidatit Beleri e kishte përforcuar mbështetjen e banorëve ndaj tij dhe më 14 maj, ata do t’i drejtoheshin të qetë kutive të votimit.

“Gjykata e vlerësoi arrestin në flagrancë si të ligjshëm dhe caktuan SPAK-un për kompetencë, – tha avokati për mediat. –  Brenda dhjetë ditëve ndoshta do të bëhet vlefshmëria në SPAK. Akuzat nuk u faktuan. Ne këtë i kërkuam gjykatës. Ishin komplet veprime të simuluara të policisë, të një individi madje, që policia rëndom si në kohën e komunizmit, i përdor.

Akuzë politike dhe montim politik. Edhe zoti Beleri foli në seancë, tha pikërisht këto që po them unë. Nuk u provua në asnjë moment në ato që referoi prokurori, në asnjë moment nuk u provua as ekzistenca e listave. Ishte duke dalë jashtë lokalit dhe mënyra ë rrëmbimit e provoi. Aty konsistonte, rrëmbimi, që të gjendej diçka në flagrantë. Dhe u provua që nuk u gjet asgjë.”